Foto: Kongresisti amerikan i kërkon Kurtit konsensus për presidentin e ri

Kongresisti amerikan i kërkon Kurtit konsensus për presidentin e ri

Kongresisti amerikan Michael Lawler i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të punojë për unitetin politik dhe të sigurojë rikthimin e të gjithë aktorëve politikë në negociata, me synim arritjen e konsensusit për zgjedhjen e presidentit të ri.

Thirrja është bërë përmes një letre drejtuar Kurtit, në të cilën Lawler ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet partive politike në këtë proces.

Lawler është anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe kryetar i Nënkomisionit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Në letër, ai e ka lidhur nevojën për bashkëpunim politik edhe me zhvillimet pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të datës 16 shtator, duke kërkuar që partitë të punojnë drejt një konsensusi për zgjedhjen e presidentit.