Kurti e propozoi për kryetare, LVV nuk e votoi për nënkryetare
Një ndryshim i dukshëm në qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Vlora Çitakut është shfaqur sot në Kuvend: në prill, Albin Kurti e kishte propozuar si një nga emrat e mundshëm për kryetare, ndërsa LVV nuk e votoi kandidaturën e saj për nënkryetare.
Në kohën kur mungonin votat për zgjedhjen e presidentit dhe institucionet përballeshin me ngërç politik, Kurti kishte ofruar bashkëpunim me partitë politike për tejkalimin e situatës.
Si pjesë e ofertës drejtuar PDK-së, Kurti kishte propozuar një rrokadë mes pozitave në Kuvend. Sipas propozimit, Albulena Haxhiu do të kalonte në postin e nënkryetares, ndërsa PDK-ja do të merrte drejtimin e Kuvendit.
Në atë kohë, si emra të mundshëm për kryetar të Kuvendit ishin përmendur Bedri Hamza dhe Vlora Çitaku. Ndërkohë, mosvotimi i sotëm i kandidaturës së Çitakut nga LVV-ja ka bërë që procesi i konstituimit të Kuvendit të mbetet sërish i bllokuar.