Foto: Kurti kërkon takim me PDK-në: Duhet marrëveshje politike

Kurti kërkon takim me PDK-në: Duhet marrëveshje politike

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar takim me PDK-në dhe ka thënë se për përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit nevojitet një marrëveshje politike.

Kurti i ka bërë thirrje PDK-së të rikthehet në seancën konstituive dhe të votojë për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Ai ka thënë se zgjedhja e tyre është pjesë e procesit të konstituimit të legjislaturës së 11-të.

Sipas deklarimit të Kurtit, PDK-së i nevojiten votat e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e nënkryetarit, ndërsa Vetëvendosjes i nevojiten votat ose mungesa e bojkotit të PDK-së për zgjedhjen e presidentit. Për këtë arsye, ai ka kërkuar takim me Hamzën.

Seanca konstituive është ndërprerë dy herë, pasi nuk është arritur zgjedhja e nënkryetarëve dhe, rrjedhimisht, as përfundimi i konstituimit të Kuvendit. Kurti ka thënë se zgjedhjet e reja janë të panevojshme dhe të kushtueshme, duke kërkuar që procesi të vazhdojë.