Kurti pas takimit me pakicat: Vazhdojmë përpjekjet për shmangien e zgjedhjeve
Albin Kurti tha se përpjekjet për shmangien e zgjedhjeve të reja do të vazhdojnë, pas takimit me përfaqësuesit e komuniteteve në Kuvend. Kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë u shpreh optimist, duke thënë se në këtë proces ka pasur progres.
Sipas Kurtit, në takim është diskutuar marrëveshja politike me LDK-në për zgjedhjen e presidentit dhe kandidatura e Bekim Sejdiut për këtë post. Ai tha se përfaqësuesit e komuniteteve i ka njoftuar për bisedimet me LDK-në.
Kurti deklaroi se përfaqësuesit e pakicave ndajnë keqardhjen për mosrealizimin e marrëveshjes, duke thënë se gjashtë deputetë të LDK-së nuk po e respektojnë atë. Marrëveshja lidhet me zgjedhjen e presidentit.
Pas takimit, Kurti tha se do të vazhdojnë të punojnë bashkë për të shmangur zgjedhjet e reja. Ai gjithashtu i falënderoi përfaqësuesit e komuniteteve për kontributin e tyre.