Foto: Kurti takohet me Kallasin në New York, kërkon mbështetje për apelin

Kurti takohet me Kallasin në New York, kërkon mbështetje për apelin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, gjatë qëndrimit në New York, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Kurti ka thënë se gjatë takimit ka kërkuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për ushtrimin e trysnisë ndaj Serbisë, në mënyrë që Milan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit të armatosur që, sipas autoriteteve të Kosovës, ishin përgjegjës për sulmin në Banjskë, të përballen me drejtësinë në Kosovë.

Takimi ka përfshirë edhe diskutimin për aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Kurti ka deklaruar se gjykimi nuk ka përfunduar.

Sipas qëndrimit të shprehur prej tij, Republika e Kosovës do të angazhohet që verdikti i Speciales të korrigjohet përmes procedurës së apelit. Në këtë kuadër, Kurti ka kërkuar përkrahje nga Bashkimi Evropian.