Kuvendi synon ta kundërshtojë aktgjykimin e Speciales, paralajmëron ndryshim ligji
Kuvendi i Kosovës synon ta kundërshtojë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ndërsa paralajmëron edhe ndryshimin e Ligjit. Këto qëndrime janë përfshirë në një deklaratë të përgatitur për seancën plenare të 28 shtatorit.
Dokumenti përmban gjithsej 10 pika dhe paraqet një prej qëndrimeve më të forta institucionale të hartuara deri tash pas aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë.
Në deklaratë, Kuvendi synon të shprehë kundërshtimin e vendosur ndaj aktgjykimit, i cili në tekst cilësohet si i padrejtë dhe i pabazuar. Dokumenti ngre gjithashtu pretendime për mungesë transparence dhe shkelje të standardeve të procesit.
Dokumenti e vendos luftën e Kosovës në kontekstin e represionit, dhunës dhe krimeve të regjimit të Slobodan Millosheviqit, duke theksuar edhe rolin e ndërhyrjes së NATO-s dhe bashkëpunimit me UÇK-në gjatë luftës.