Marta Kos: Kthimi i eshtrave të Mlladiqit, provë për Serbinë
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka paralajmëruar se kthimi i eshtrave të Ratko Mlladiqit në Beograd do të jetë një “provë shumë e rëndësishme” për rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
Kos tha se zhvillimet e fundit në Serbi mund të ndikojnë në mënyrën se si shtetet anëtare të BE-së e vlerësojnë rrugën e këtij vendi drejt anëtarësimit. Ajo i bëri këto deklarata gjatë një qëndrimi në Dublin.
Sipas saj, Brukseli po i ndjek nga afër zhvillimet në Serbi. Procesi i integrimit, theksoi Kos, nuk lidhet vetëm me aspektet teknike të negociatave, por edhe me respektimin e vlerave evropiane dhe përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.