Foto: Më 6 tetor shpallet aktgjykimi ndaj Mendim Sojevës dhe Ganimete Gashi-Ahmetit

Më 6 tetor shpallet aktgjykimi ndaj Mendim Sojevës dhe Ganimete Gashi-Ahmetit

Fjalët përfundimtare janë dhënë në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rigjykimin ndaj Mendim Sojevës dhe Ganimete Gashi-Ahmetit, në rastin që lidhet me pretendimet e Prokurorisë Speciale për përvetësimin e mbi një milion eurove. Aktgjykimi në këtë çështje pritet të shpallet më 6 tetor.

Para nisjes së fjalëve përfundimtare, trupi gjykues, me shumicë votash, refuzoi propozimin e Prokurorisë për angazhimin e një grupi të pavarur ekspertësh financiarë.

Prokuroria kishte kërkuar ekspertizë të re financiare, me arsyetimin se një ekip i pavarur do të mundësonte një vlerësim të plotë dhe do të eliminonte dilemat e krijuara nga ekspertizat e mëparshme. Pas refuzimit të propozimit, dhe meqë nuk u administrua ndonjë provë tjetër e re, Prokuroria kaloi në fjalën përfundimtare.