“Mora fjalë” hiqet nga YouTube, zbulohet kërkesa pas largimit të këngës

Versioni origjinal i këngës së njohur “Mora fjalë” nuk gjendet më në YouTube, duke ngritur pikëpyetje për arsyen e largimit të një prej këngëve më të dëgjuara shqiptare.

Kënga, e interpretuar nga Shkurte Fejza dhe e kushtuar figurës së Adem Jasharit, ndër vite ka marrë zemrat e mijëra shqiptarëve dhe ka grumbulluar dhjetëra miliona shikime në YouTube.

Largimi lidhet me një kontest për të drejtat e autorit. Versioni origjinal është shkruar dhe kompozuar nga Naim Gjoshi, ndërsa këndohet nga Shkurte Fejza.

Sipas sqarimit të dhënë përmes përfaqësuesve të tij, Gjoshi ishte ai që kërkoi largimin e këngës nga kanalet zyrtare, duke vepruar në kuadër të mbrojtjes së të drejtave mbi tekstin dhe kompozimin.

Në YouTube mund të gjenden ende video nga studio televizive, koncerte dhe ngjarje të ndryshme ku kënga është interpretuar, por jo versioni origjinal që ishte i publikuar në platformë.