Musmurati: Kredia 74 milionë euroshe për mbeturinat e Prishtinës mbetet e bllokuar
Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka deklaruar se kredia prej 74 milionë eurosh për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet vazhdon të jetë e bllokuar, pasi nuk është nënshkruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati.
Musmurati ka bërë të ditur se këtë çështje e ka diskutuar në një takim me përfaqësues të Bankës Zhvillimore Gjermane, KfW. Sipas saj, në takim është rikonfirmuar se marrëveshja financiare ende nuk është nënshkruar nga ministri Murati.
Bëhet fjalë për një marrëveshje prej 74 milionë eurosh, të cilën Qeveria e Kosovës e kishte nënshkruar me Qeverinë Gjermane dy vjet më parë.
Financimi ishte paraparë të përdorej për blerjen e më shumë se 100 kamionëve për grumbullimin e mbeturinave, furnizimin me 10 mijë kontejnerë dhe ndërtimin e një qendre moderne për riciklimin e mbeturinave në rajonin e Prishtinës.