Naftëtarët kërkojnë anulimin e menjëhershëm të vendimit për kontrollin e çmimeve
Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka kërkuar anulimin e menjëhershëm të vendimit për kontrollin e çmimeve të produkteve të naftës. Ajo paralajmëroi se, nëse vendimi nuk anulohet, do të shqyrtojë të gjitha mundësitë juridike dhe do të kërkojë kompensim për humbjet që pretendon se po i shkakton masa.
Shoqata tha se masa po dëmton rëndë bizneset, cenon konkurrencën e lirë dhe nuk sjell përfitime reale për konsumatorët. Ajo kërkon që ndikimet e tilla të rishikohen përpara se të aplikohen masa të ngjashme në të ardhmen.
Shoqata bëri të ditur se kompanitë e sektorit të naftës kanë vazhduar të sigurojnë furnizim të rregullt e të pandërprerë për tregun. Një furnizim tërësisht normal, sipas saj, e bën të diskutueshme nevojën për masa të tilla administrative.
Shoqata mbetet e hapur për dialog me institucionet dhe kërkon që vendimet e ardhshme të bazohen në analiza profesionale, ligjshmëri, transparencë dhe konsultim me aktorët e tregut.