Foto: OVL kërkon që aktakuza ndaj Shehollit të hetohet si çështje sigurie

OVL kërkon që aktakuza ndaj Shehollit të hetohet si çështje sigurie

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar pas aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit, i dyshuar për spiunazh për Serbinë, duke kërkuar që rasti të mos trajtohet vetëm si përgjegjësi individuale.

OVL-UÇK kërkon që institucionet të hetojnë nëse BIA ka mbledhur materiale lidhur me luftën e UÇK-së dhe që provat të ndiqen në çdo drejtim ku mund të çojnë ato.

Sipas organizatës, duhet të shqyrtohet çdo kontakt, ndërmjetës, burim, komunikim, lidhje financiare dhe mënyrë e mundshme e përcjelljes së materialeve të ndjeshme. OVL-UÇK ka kërkuar gjithashtu gjurmimin e çdo lidhjeje që mund të çojë në zbulimin e rrjeteve më të gjera.

Organizata ka theksuar se e respekton prezumimin e pafajësisë dhe se përgjegjësia mund të përcaktohet vetëm përmes një procesi gjyqësor të pavarur, profesional dhe transparent. Megjithatë, ajo kërkon që aktakuza të vlerësohet edhe si çështje e sigurisë kombëtare të Kosovës.