Pacolli urdhëron mbylljen e restorantit të njohur pranë Liqenit
Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka urdhëruar mbylljen e aktivitetit të hotelit dhe restorantit “Liqeni i Dukagjinit”, që vepronte në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit.
Përmes një postimi, Pacolli ka thënë se aktiviteti i këtij biznesi është zhvilluar në kundërshtim me legjislacionin mjedisor dhe me rregullat që përcaktojnë mbrojtjen e burimeve të ujit të pijshëm.
Sipas saj, Inspektorati i Mjedisit ka ndërmarrë masën e mbylljes, pasi aktiviteti dyshohet se ka qenë në kundërshtim me Ligjin për Ujërat, Vendimin 09/127 të Qeverisë për përcaktimin e zonave sanitare të Liqenit të Radoniqit dhe akte të tjera nënligjore.
Pacolli ka deklaruar se si pasojë e këtyre shkeljeve është vënë në rrezik mbrojtja e burimeve të ujit të pijshëm dhe siguria e zonës, ndërsa inspektimet dhe masat administrative vazhdojnë.