Përshkallëzohet protesta në Tiranë, 14 policë të plagosur
Protesta në Tiranë është përshkallëzuar, me 14 efektivë policie të plagosur dhe 35 persona të shoqëruar, sipas njoftimit të Policisë së Shtetit. Gjatë tubimit pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Policia bëri të ditur se gjatë protestës janë dëmtuar prona publike dhe private. Sipas njoftimit, po vazhdon identifikimi i personave të përfshirë në aktet e dhunshme.
Përmes një reagimi zyrtar, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje protestuesve të distancohen nga dhuna dhe të mos marrin pjesë në sulmet ndaj efektivëve dhe institucioneve shtetërore. Policia theksoi se e drejta për të protestuar garantohet me ligj, ndërsa dhuna dhe dëmtimi i pronës nuk mund të justifikohen.