Foto: Banorët në Zogaj protestojnë pas bekimit të truallit

Banorët në Zogaj protestojnë pas bekimit të truallit

Banorët e disa fshatrave të Vushtrrisë dolën në protestë pas bekimit të një trualli në fshatin Zogaj, ku Dioqeza Prizren-Prishtinë planifikon në të ardhmen ndërtimin e një kishe. Ngjarja nxiti debat publik dhe reagime në nivel lokal.

Ceremonia u mbajt më 17 gusht, por për të ka qëndrime të ndryshme ndërmjet autoriteteve lokale dhe Kishës Katolike. Komuna e Vushtrrisë thotë se nuk ka pasur njoftim paraprak për vendosjen e gurit të themelit apo për kërkesë për leje ndërtimi.

Kisha Katolike e Kosovës nga ana tjetër thotë se autoritetet ishin njoftuar për ceremoninë, por këmbëngul se ajo nuk shënoi nisjen e punimeve për ndërtimin e kishës.

Polemika mori hov që nga fundi i korrikut, kur shqetësimet për planin u bënë publike përmes një reagimi të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në Vushtrri, çka më pas nxiti reagime dhe protesta nga banorët.