Qeveria Kurti 4 merr votëbesimin me 62 vota për
Qeveria Kurti 4 ka marrë votëbesimin e Kuvendit të Kosovës, pasi kabineti i propozuar nga kryeministri Albin Kurti u miratua me 62 vota për, tetë kundër dhe asnjë abstenim.
Para votimit, Kurti paraqiti para deputetëve ekspozenë qeverisëse dhe përbërjen e kabinetit të ri. Me votimin e Kuvendit, përbërja e propozuar u zgjodh si Qeveria Kurti 4.
Glauk Konjufca është zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ndërsa Donika Gërvalla është zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë. Fikrim Damka është propozuar si zëvendëskryeministër i tretë.
Në kabinetin e ri janë përfshirë edhe Hekuran Murati si ministër i Financave, Andin Hoti si ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Ejup Maqedonci si ministër i Mbrojtjes dhe Xhelal Sveçla si ministër i Punëve të Brendshme. Arben Vitia është caktuar për Shëndetësinë, ndërsa Hajrulla Çeku për Arsimin dhe Shkencën.