Rama: Ndihma gjermane për “Pastrimin” dështoi pa nënshkrimin e Muratit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ndihma e Qeverisë gjermane për projektin e “Pastrimit” ka dështuar, pasi ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk e ka nënshkruar atë.
Përmes një postimi në Facebook, Rama e ka cilësuar këtë zhvillim si të turpshëm. Sipas tij, bëhet fjalë për një ndihmë që do të mbështeste projektin e “Pastrimit”, ndërsa mungesa e nënshkrimit ka çuar në dështimin e saj.
“Është e rëndë dhe e turpshme që para partnerëve tanë ndërkombëtarë duhet të shpjegojmë pse një projekt kaq i rëndësishëm për qytetarët tanë po dështon për shkak të Qeverisë sonë”, ka shkruar Rama. Ai ka shtuar se qytetarët nuk duhet të paguajnë çmimin e këtyre bllokadave.