Foto: Ratcliffe në Moskë, rriten spekulimet për një takim me Putinin

Ratcliffe në Moskë, rriten spekulimet për një takim me Putinin

Vizita e papritur e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë ka nxitur spekulime për një takim të mundshëm me presidentin rus, Vladimir Putin, në një zhvillim që lidhet me Ukrainën dhe NATO-n.

Mediat ruse dhe ukrainase raportojnë se Ratcliffe mund të jetë takuar me Putinin, por ky takim mbetet i pakonfirmuar zyrtarisht. Qëllimi i vizitës së tij në kryeqytetin rus nuk është bërë i ditur.

Vizita u vu re nga llogari ruse në aplikacionin Telegram të martën në mëngjes. Raportohet se një avion transporti ushtarak amerikan C-17A u nis nga Baza Ajrore Andrews, pranë Uashingtonit, dhe u ul në aeroportin Vnukovo të Moskës, pas një ndalese në Riga të Letonisë.

Më pas, në Moskë u raportua edhe lëvizja e një autokolone automjetesh me targa diplomatike. Mediat amerikane raportuan se drejtori i CIA-s ndodhej në avionin që mbërriti në kryeqytetin rus.

Deri tani, as Shtëpia e Bardhë dhe as CIA nuk kanë dhënë konfirmim zyrtar për një takim mes Ratcliffe dhe Putinit apo për agjendën e vizitës.