Foto: RDK vendos posterë "Shkelësit e Kushtetutës" në dyert e Kuvendit, kërkon vazhdimin e seancës

RDK vendos posterë “Shkelësit e Kushtetutës” në dyert e Kuvendit, kërkon vazhdimin e seancës

Rinia Demokratike e Kosovës zhvilloi sot një aksion simbolik para Kuvendit, duke vendosur posterë në dyert e objektit me fotografitë e Albulena Haxhiut, Albin Kurtit dhe Avni Deharit, të shoqëruara me mbishkrimin “Shkelësit e Kushtetutës”. Aksioni synonte të kërkonte vazhdimin e seancës konstituive dhe konstituimin e Kuvendit.

Posterët u vendosën drejtpërdrejt në dyert hyrëse të Kuvendit, ku secila foto ishte e shoqëruar me mbishkrimin që i etiketonte tre figurat si shkelës të Kushtetutës, një pamje që organizatorët e konsideruan si mesazh për deputetët.

Kryetarja e RDK-së, Arbnore Salihu, tha se përmes këtij aksioni synojnë të rikujtojnë obligimet që burojnë nga Kushtetuta, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2025 dhe Rregullorja e Kuvendit, duke deklaruar: “Në dyert e Kuvendit kemi vendosur tre shkelësit e Kushtetutës.”

Aksioni u zhvillua si protestë ndaj asaj që RDK e cilëson si bllokadë institucionale dhe pengim të procesit të konstituimit të Kuvendit. Përmes posterëve RDK adresoi drejtpërdrejt edhe akuzat ndaj Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje për shkelje procedurale.

RDK theksoi se nuk duhet të shpikën rregulla të reja kur afatet dhe procedurat kushtetuese janë të qarta, dhe i bëri thirrje deputetëve që t’i respektojnë afatet kushtetuese dhe të përfundojnë konstituimin e Kuvendit.