SHBA-ja mund t’ia ndërpresë Ukrainës inteligjencën pas sulmeve në Rusi
Të dërguarit e presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dyshohet se e kanë paralajmëruar delegacionin ukrainas se SHBA-ja mund ta ndërpresë shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës me Kievin, nëse Ukraina vazhdon sulmet ndaj rafinerive të naftës në Rusi.
Paralajmërimi dyshohet se është bërë gjatë bisedimeve me përfaqësuesit ukrainas. Sipas raportimit të bërë publik, përfaqësuesit amerikanë kanë thënë se presidenti Trump mund t’ia ndërpresë Ukrainës qasjen në inteligjencën amerikane, nëse Kievi nuk i përfill kërkesat për ndalimin e sulmeve.
Megjithatë, një zyrtar amerikan e ka mohuar këtë interpretim. Sipas tij, Witkoff dhe Kushner vetëm ua kanë rikujtuar përfaqësuesve ukrainas se SHBA-ja është partnere e besueshme, e cila i ofron Ukrainës municione dhe informacione të inteligjencës. Zyrtari ka thënë gjithashtu se Ukraina duhet t’i shmangë veprimet që dëmtojnë konsumatorët amerikanë.