Si nisi sherri në Ksamil që përfundoi me vrasjen e një turisti portugez
Detaje të reja janë zbardhur nga krimi i ndodhur orët e para të mëngjesit në Ksamil, ku mbeti i vrarë me thikë një turist portugez, 20 vjeç.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje shokët e viktimës, Luis Miguel Varela Mendes, të cilët kanë dhënë dëshmitë e tyre mbi mënyrën se si nisi konflikti dhe momentet që i paraprinë goditjes fatale.
Sipas dëshmive të shokëve, sherri dyshohet të ketë nisur brenda ambienteve të lokalit pas ngacmimit të një vajze; situata më pas është përshkallëzuar dhe në konflikt janë përfshirë disa persona. Dëshmitarët tregojnë se punonjësit e sigurisë ndërhynë, ndërsa 20-vjeçari u përpoq të ndante palët dhe në një moment u godit me thikë, plagët e të cilit rezultuan fatale.
Hetimet vazhdojnë dhe grupi hetimor po verifikon versionet e dhëna nga të pyeturit për të përcaktuar rrethanat dhe motivin e ngjarjes.