Sorensen: Dialogu Kosovë-Serbi nuk ka vdekur, solli përparim për të pagjeturit
Peter Sorensen, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se dialogu i Brukselit “nuk ka vdekur” dhe po vazhdon, duke sjellë rezultate konkrete për çështje të rëndësishme, përfshirë personat e zhdukur.
Në një intervistë për të përditshmen serbe Danas, Sorensen veçoi përparimin lidhur me personat e zhdukur dhe përmendi disa marrëveshje praktike që, sipas tij, ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Ai po ashtu bëri të ditur se Bashkimi Evropian nuk ka përcaktuar një afat kohor për përmbylljen e dialogut, dhe nënvizoi se për të është më e rëndësishme që palët të zbatojnë marrëveshjet sesa përcaktimi i një date përmbyllëse.
Sorensen paralajmëroi se zbatimi i Marrëveshjes së vitit 2023 dhe aneksit të saj të Ohrit mbetet i pamjaftueshëm, dhe se palët duhet të përshpejtojnë përmbushjen e angazhimeve për të parë ndikim real në terren.