Foto: Tërnava i kërkon Prokurorisë Speciale hetim për dokumentin “Top Secret 2”

Tërnava i kërkon Prokurorisë Speciale hetim për dokumentin “Top Secret 2”

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, përmes përfaqësuesit ligjor të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, i është drejtuar Prokurorisë Speciale me kërkesë zyrtare për zbardhjen e plotë të çështjes së dokumentit të pretenduar si “Top Secret 2”.

Sipas njoftimit të BIK-ut, pretendohet se dokumenti është nxjerrë nga telefoni i të pandehurit Fatmir Sheholli. Në kërkesën drejtuar Prokurorisë Speciale kërkohet të hetohen origjina dhe autenticiteti i dokumentit, mënyra se si është siguruar dhe publikuar, si dhe rrethanat e nxjerrjes së pretenduar nga telefoni i Shehollit.

BIK-u vlerëson se përmbajtja e pretenduar e dokumentit e paraqet në mënyrë të rreme institucionin si të ndikuar nga shërbime të huaja të sigurisë, ndërsa xhamitë dhe medresetë si institucione të financuara për qëllime destabilizuese. Përmes kërkesës, institucioni kërkon që këto pretendime dhe rrethanat e dokumentit të hetohen nga organet kompetente.