Tymi i zi mbi Obiliq, KEK shpjegon çfarë po ndodh me njësinë A3
Tymi i zi që u vërejt mbi Obiliq lidhet me procesin e startimit të njësisë A3 të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), pas përfundimit të sanimeve të nevojshme.
KEK ka njoftuar se njësia pritet së shpejti të sinkronizohet me rrjetin elektroenergjetik dhe të rikthehet në operim. Gjatë kësaj faze, sipas njoftimit të korporatës, për disa orë mund të vërehen emetime më të theksuara të tymit.
Korporata e ka përshkruar këtë si një dukuri të përkohshme, të ndërlidhur me startimin e njësisë, dhe u ka kërkuar mirëkuptim Komunës së Obiliqit dhe qytetarëve gjatë procesit të rikthimit në operim.