Von der Leyen: Zgjedhja e presidentit është hapi i radhës për Kosovën
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar që zgjedhja e presidentit të jetë hapi i radhës për Kosovën, pas formimit të Kuvendit dhe Qeverisë. Ajo e bëri këtë deklaratë në Prishtinë, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti.
Von der Leyen theksoi se stabiliteti institucional është themeli i gjithçkaje dhe se ai është i rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe avancimin e tij drejt Bashkimit Evropian.
Ajo tha se gjatë periudhës së fundit është vërejtur se dialogu ndërmjet partive politike është i mundur, duke i inkurajuar ato që të vazhdojnë në këtë drejtim.
Sipas deklaratës së saj, funksionimi i institucioneve dhe vazhdimi i dialogut politik lidhen me reformat, rritjen dhe përparimin e Kosovës në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.