Zjarr në komisariatin nr. 3 në Tiranë, disa të lënduar
Revolta në Tiranë është përshkallëzuar pasi protestuesit i kanë vënë zjarrin Komisariatit nr. 3, në rrugën “Mine Peza”. Si pasojë e zjarrit, disa efektivë policie kanë mbetur të lënduar.
Zjarri ka përfshirë pjesën e recepsionit të komisariatit, ndërsa protesta është përshkallëzuar edhe te Ministria e Punëve të Brendshme. Protestuesit i kanë vënë flakën derës së ministrisë, duke e zgjeruar situatën e tensionuar në kryeqytet.
Gazetarja e Top Channel ka bërë me dije se në godinën e komisariatit dyshohet se ndodhen edhe persona. Efektivët e lënduar janë transportuar me ambulanca në spital, ndërsa në vendngjarje po tentohet të shuhen flakët.