Zyrtari policor arrestohet në Gjilan, dyshohet për sulm dhe kanosje
Një zyrtar policor është arrestuar sot në Gjilan. Inspektorati Policor i Kosovës njofton se ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “sulm”, “lëndim i lehtë trupor” dhe “kanosje” ndaj disa të rinjve.
Sipas IPK-së, hetimi nisi pasi pranë zyrës rajonale të Inspektoratit në Gjilan u dorëzua një ankesë disa ditë më parë. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 13 gusht në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, ku zyrtari, jashtë detyrës zyrtare, u përfshi në një mosmarrëveshje me disa të rinj.
IPK-ja, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka ndërmarrë veprimet hetimore dhe pas veprimeve fillestare zyrtari është arrestuar. Me vendim të prokurorit atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh; hetimet vazhdojnë.