Një 21-vjeçare goditet për vdekje nga automjeti në Vlashnje
Një këmbësore 21-vjeçare ka humbur jetën pasi u godit nga një automjet në Vlashnje të Prizrenit. Aksidenti ka ndodhur në rrugën që lidh këtë fshat me Kobajn.
Rasti është raportuar rreth orës 20:25. Pas goditjes, këmbësorja ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se rreth orës 21:00 policia është njoftuar nga spitali se e lënduara nuk ka mundur t’u përballojë plagëve të marra dhe ka vdekur.
Njësitet përkatëse policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të trajtuar rastin. Detaje të tjera për aksidentin nuk janë bërë të ditura në informacionin fillestar.