Arsenal armësh në Senik, 43-vjeçari pranon posedimin pa leje
Një bastisje policore në fshatin Senik të Malishevës ka përfunduar me sekuestrimin e disa armëve dhe mjeteve të tjera. Gjatë kontrollit, një 43-vjeçar ka pranuar se armët ishin të tijat dhe se nuk posedonte leje përkatëse.
Policia kishte siguruar informacione operative se Liridon Jonuzaj mund të posedonte armë pa autorizim. Pas sigurimit të urdhrit nga Prokurori i Shtetit, kontrolli është kryer në shtëpinë e tij.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjahu dytytëshe e tipit Kral Silah, kalibër 12 GA, dhe një pushkë gjahu njëtytëshe HB Armes, po ashtu e kalibrit 12 GA.
Policia ka sekuestruar gjithashtu një pushkë ajrore UX Patrol 4.5 mm, një pistoletë Zoraki M 906 B, një pjesë druri të armës së gjahut dhe një thikë me këllëf. Pas intervistimit, 43-vjeçari ka deklaruar se armët i përkisnin atij dhe se nuk kishte leje për to.