Shoferi kapet në Merdarë me 63,400 euro të padeklaruara
Dogana e Kosovës njofton se gjatë kontrollit në pikën kufitare të Merdarës është zbuluar një shumë prej 63,400 eurosh të padeklaruara në bagazhin personal të drejtuesit të një autobusi që vinte nga Gjermania drejt Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, paratë ishin fshehur brenda bagazhit të shoferit të autobusit të cilin doganierët e kontrolluan gjatë inspektimeve të përforcuara ndaj mjetesh që hynin në territorin e vendit.
Dogana bën të ditur se mjetet monetare janë ndaluar dhe rasti është inicuar për trajtim të mëtejmë në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa veprimet procedurale dhe formalitetet e mëtejshme do të kryhen nga autoritetet kompetente.
Sipas njoftimit, kontrollet më të detajuara ndaj autobusëve u zhvilluan të dielën në pikat kufitare, pjesë e masave për parandalimin e bartjes së paligjshme të parave dhe krimeve ndërkufitare.
Dogana gjithashtu rikujtoi udhëtarët për detyrimin e deklarimit të mjeteve monetare kur tejkalojnë kufirin, dhe njoftoi se kontrollet e shtuara do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit dhe luftimit të këtij fenomeni.