Bajrami: Kurti po zvarrit formimin e institucioneve dhe na çon drejt zgjedhjeve
Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti se po e zvarrit procesin e formimit të institucioneve dhe po e çon vendin drejt një cikli të ri zgjedhor.
Ajo ka thënë se Kosova, pas tri palë zgjedhjesh, rrezikon të rikthehet sërish në zgjedhje, pa arritur të krijojë institucione funksionale dhe legjitime.
Bajrami ironizoi arsyetimet e përdorura nga pushteti, duke rikujtuar fillimisht deklaratën “s’bën qerrja para kalit” dhe më pas pretendimin se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa një marrëveshje politike.
Në postimin e saj, Bajrami shkroi: “Që tri herë zgjedhje, për të shkuar prapë në zgjedhje. Pse?”, një retorikë që, sipas saj, tregon kontradiktat në arsyetimet e qeverisë në detyrë.
Sipas Bajramit, argumenti se moskonstituimi i Kuvendit përdoret për të shmangur zgjedhjet është kontradiktor dhe i ngre pyetje për motivet dhe prioritetet e udhëheqjes aktuale.