Zjarre aktive në Kutlloc e Bajgor të Mitrovicës, zjarrfikësit në terren
Dy zjarre janë aktive në Komunën e Mitrovicës, duke përfshirë fshatrat Kutlloc dhe Bajgor; zjarrfikësit dhe ekipet vullnetare ndodhen në terren për shuarjen e flakëve, njofton kryetari i komunës, Faton Peci.
Peci, përmes një postimi në Facebook, ka apeluar te qytetarët për kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta dhe i ka kërkuar publikisht që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë ekipet nëse vërejnë vatra zjarri.
Sipas njoftimit të tij, ndërhyrja për shuarjen e zjarrit ka qenë e menjëhershme dhe bashkë me ekipet përgjegjëse po punohet me të gjitha kapacitetet për ta vënë situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve.