Përvëlohet Kosova këtë fundjavë, temperaturat shkojnë deri në 38 gradë Celsius
Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), Kosova do të përfshihet nga një valë e të nxehtit këtë fundjavë, me temperatura që të shtunën priten të arrijnë deri në 38 gradë Celsius.
IHMK njofton se të shtunën temperaturat maksimale do të lëvizin nga 32 deri në 38 gradë Celsius, ndërsa temperaturat minimale priten të jenë nga 11 deri në 15 gradë Celsius. Moti i nxehtë do të vazhdojë edhe të dielën, por temperaturat maksimale pritet të pësojnë një rënie të lehtë dhe të luhaten rreth 29 deri në 34 gradë Celsius, me minima 11-16°C.
Për shkak të temperaturave të larta, IHMK rekomandon përdorimin e mbrojtjes nga rrezatimi diellor gjatë orëve me intensitet më të lartë.