Partia serbe në koalicionin qeverisës në RMV lavdëron Ratko Mladiqin
Partia Demokratike e Serbëve në Maqedoninë e Veriut, e drejtuar nga Ivan Stoilkoviqi, ka publikuar në Facebook një mesazh lavdërues për Ratko Mladiqin pas vdekjes së tij. Postimi nis me fjalët: “Gjeneral, pushoni në paqe”.
Mladiqi ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Megjithatë, në mesazhin e publikuar, partia shprehet se “shumë serbë atëherë e shihnin si gjeneralin e tyre” dhe se historia do ta kujtojë.
Partia Demokratike e Serbëve është pjesë e koalicionit të VMRO-DPMNE-së të Hristijan Mickoskit në Maqedoninë e Veriut. Në të njëjtin koalicion bëjnë pjesë edhe partitë shqiptare të VLEN-it.