Foto: Aktakuzë ndaj dy mjekëve të Vushtrrisë për marrje ryshfeti

Aktakuzë ndaj dy mjekëve të Vushtrrisë për marrje ryshfeti

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy mjekëve të Spitalit të Vushtrrisë, të dyshuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”. Në të njëjtin rast, nëntë persona të tjerë akuzohen për “Dhënien e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Ekrem Sefiu dhe Valdet Rexhepi, në cilësinë e personave zyrtarë dhe mjekëve në këtë spital, dyshohet se kanë kërkuar dhe pranuar drejtpërdrejt para në këmbim të ofrimit të shërbimeve mjekësore.

Prokuroria pretendon se Valdet Rexhepi ka kërkuar dhe pranuar para në gjashtë raste, ndërsa Ekrem Sefiu në tri raste. Sipas aktakuzës, paratë dyshohet se janë kërkuar ose pranuar për veprime që lidhen me trajtimin dhe operimin e pacientëve.

Nëntë personat e tjerë të pandehur janë identifikuar me inicialet F.V., B.Q., F.Xh., B.G., B.A., K.H., S.N., V.Y. dhe L.K. Ata akuzohen se, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, kanë dhënë ryshfet.