Foto: Java e ardhshme sjell temperatura mbi 30 gradë në Kosovë

Java e ardhshme sjell temperatura mbi 30 gradë në Kosovë

Java e ardhshme në Kosovë do të shoqërohet me temperatura mbi 30 gradë Celsius dhe mot kryesisht të qëndrueshëm e të ngrohtë. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë periudhës 7 deri më 11 shtator priten intervale të gjata me diell.

Temperaturat do të jenë mbi vlerat tipike për fillimin e shtatorit. Të hënën temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 31 gradë, të martën deri në 32 gradë, ndërsa të mërkurën deri në 33 gradë Celsius. Vlerat më të larta parashikohen në Prizren dhe Gjakovë.

Një ndryshim i përkohshëm i motit pritet të enjten, më 10 shtator, me vranësira dhe reshje shiu, të shoqëruara lokalisht me shkarkime rrufesh. Në këtë ditë parashikohen edhe erëra mesatare dhe lokalisht të forta, ndërsa e premtja pritet të sjellë mot më të freskët, me diell dhe vranësira të ndryshueshme.