Inflacioni arrin 7,1 për qind, transporti shtrenjtohet më së shumti
Kostoja e jetesës për qytetarët e Kosovës vazhdon të mbetet e lartë, pasi inflacioni vjetor në tetor ka arritur në 7,1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja më e madhe e çmimeve është shënuar në sektorin e transportit, ku ato janë ngritur me 21,5 për qind brenda një viti. Pas transportit renditen shpenzimet për strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse, të cilat janë shtrenjtuar me 9,7 për qind.
Të dhënat e çmimeve të konsumit tregojnë se ushqimet dhe pijet joalkoolike janë rritur me 3,2 për qind në bazë vjetore. Vetëm gjatë muajit tetor, kjo kategori ka shënuar rritje mujore prej 1,1 për qind.
Ndonëse niveli i përgjithshëm i çmimeve në tetor ka mbetur i pandryshuar krahasuar me shtatorin, me një ndryshim prej 0,0 për qind, rritja vjetore vazhdon të rëndojë mbi shpenzimet e konsumatorëve.