Arrestohet një person në Mitrovicë, sekuestrohen armë dhe shufër me “POLIC”
Një person është arrestuar në Mitrovicë, ndërsa gjatë kontrollit të një shtëpie dhe një lokali janë sekuestruar armë, substancë e dyshuar narkotike, radiolidhje dhe një shufër metalike me mbishkrimin “POLIC”. Rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 09:15, në fshatin Kqiq i Madh.
Sipas të dhënave të publikuara për rastin, gjatë kontrollit janë gjetur rreth 110.6 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë. Po ashtu, janë sekuestruar një revole M57 e kalibrit 7.62 milimetra, një pushkë gjuetie dhe municion.
Kontrolli është kryer në një shtëpi dhe në një lokal që ishin në pronësi të personit të dyshuar. Në kuadër të bastisjes janë gjetur edhe radiolidhje dhe shufra metalike, përfshirë atë me mbishkrimin “POLIC”.
Operacioni është realizuar nga njësitë policore përkatëse në Mitrovicë, në koordinim me Prokurorinë Themelore dhe me asistimin e njësive relevante, përfshirë Njësinë për Reagim të Shpejtë dhe njësinë K-9.