Dëshmitari polic në gjyqin “Capat-Sekiraqët”: “Ujë, ujë”
Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi ndaj të akuzuarve në rastin e njohur si “Capat-Sekiraqët”. Në seancën e radhës dëshmoi një zyrtar policor, i cili foli për atë që kishte dëgjuar dhe parë gjatë natës kritike.
Dëshmitari deklaroi se kishte dëgjuar të shtëna me armë brenda dhe jashtë lokalit. Pas të shtënave, ai tha se e kishte telefonuar Policinë dhe më pas kishte dalë jashtë, ku kishte parë dy persona të plagosur.
“Kam dëgjuar një zë të tmerrshëm duke kërkuar: ‘Ujë, ujë’. Jashtë i kam parë dy persona të plagosur”, deklaroi zyrtari policor gjatë dëshmisë së tij.
I pyetur nëse u kishte ofruar asistencë kolegëve të tij pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, dëshmitari tha se nuk i kujtohej. Rasti lidhet me përleshjen e armatosur të 1 shtatorit 2024, në lokalin “From” dhe jashtë tij. Trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët Fatime Dërmaku, Sulltane Hoti dhe Ertan Sejfulla.