Foto: Protestë sot në qendër të Prishtinës, veteranët mblidhen në sheshin “Skënderbeu”

Protestë sot në qendër të Prishtinës, veteranët mblidhen në sheshin “Skënderbeu”

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka paralajmëruar protestë gjithëpopullore sot në mes të Prishtinës. Tubimi pritet të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 12:00.

Protesta vjen pas zhvillimeve të fundit në procesin gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së. Organizata e veteranëve e ka lidhur tubimin me kundërshtimin e mënyrës se si, sipas saj, po trajtohet lufta e UÇK-së në raport me ngjarjet e viteve 1998-1999.

Gazmend Syla nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së tha se zhvillimet e fundit, sipas tij, kanë tentuar ta vendosin në një balancë luftën e UÇK-së me atë që ka ndodhur gjatë viteve 1998-1999.

Ai tha se lufta e UÇK-së nuk duhet të njolloset apo të barazohet me veprime të tjera, duke e përshkruar atë si rezistencë përballë dëbimit dhe masakrave.