Dy persona arrestohen në Gjakovë, kapen duke marrë kamatë
Dy persona janë arrestuar në Gjakovë nën dyshimet për fajde dhe detyrim, pasi, sipas Policisë së Kosovës, u kapën në flagrancë gjatë marrjes së pagesave të kamatës nga një viktimë.
Operacioni u zhvillua nga Njësia Rajonale e Hetimeve në Gjakovë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, si dhe me njësi të tjera policore. Policia tha se paraprakisht kishte pranuar informacione operative lidhur me veprën penale të fajdes.
Sipas njoftimit të Policisë, hetuesit zbatuan masa të veçanta hetimore dhe i arrestuan të dyshuarit në vendngjarje, në momentin kur po merreshin pagesat e kamatës.
Me urdhër të gjykatës janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve, ku janë gjetur edhe disa fishekë.
Pas intervistimit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë me urdhër të prokurorit kompetent. Ndaj tyre janë iniciuar raste për veprat penale “Fajdeja”, “Detyrim” dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës.