Foto: Sot në gjykatë: seanca ndaj Lavdim dhe Ardian Krasniqit

Sot në gjykatë: seanca ndaj Lavdim dhe Ardian Krasniqit

Sot pritet të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë seanca ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, dhe shoferit të tij, Ardian Krasniqi. Seanca është caktuar për orën 09:30, në Departamentin për Krime të Rënda.

Rasti lidhet me akuzat për ushtrim të ndikimit dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Ardian Krasniqi ngarkohet edhe me falsifikim të dokumenteve, ndërsa çështja përfshin edhe arratisjen me veturë zyrtare.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021, të pandehurit dyshohet se, nga janari i vitit 2018 deri në fund të vitit 2019, kishin kërkuar dhe pranuar para e dhurata nga Bashkim Mulolli. Prokuroria pretendon se këto përfitime ishin kërkuar në këmbim të ndikimit për uljen e dënimit të tij dhe shtyrjen e ekzekutimit të burgimit.

Seanca ishte paraparë të mbahej më 3 shtator, por ishte anuluar për shkak të pushimit mjekësor të kryetarit të trupit gjykues.