Foto: Taulant Xhaka del në mbrojtje të Granitit pas kritikave

Taulant Xhaka del në mbrojtje të Granitit pas kritikave

Taulant Xhaka ka dalë në mbrojtje të vëllait të tij, Granit Xhakës, pas kritikave të shumta ndaj kapitenit të Zvicrës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka kërkuar që kontributi i Granitit për kombëtaren zvicerane të mos harrohet.

Taulanti ka theksuar se gabimet janë pjesë e futbollit dhe se askush nuk është i pagabueshëm. Sipas tij, e rëndësishme është që një person ta pranojë gabimin dhe të nxjerrë mësime prej tij.

“Mos harroni kurrë atë që Granit Xhaka, vëllai im, ka dhënë ndër vite për Zvicrën. Sa shumë zemër, pasion dhe krenari ka treguar për këtë vend dhe për këtë fanellë”, ka shkruar Taulant Xhaka.

Ai u është drejtuar edhe gazetarëve dhe kritikëve, duke kujtuar se të gjithë njerëzit bëjnë gabime. Në fund të mesazhit, Taulanti i ka shprehur publikisht mbështetjen vëllait të tij.