Mesazhi për “radarët e shtetit” nis të shfaqet në bluza
Mesazhi “Krejt radarët e shtetit i fika për ty!”, i publikuar në komunikimet mes ish-shefes së SHISH-it, Vlora Hysenit, dhe Ergys Agasit, ka marrë një tjetër përdorim publik: fraza ka nisur të printohet në bluza.
Komunikimet kanë nxjerrë në pah detaje të shumta rreth raportit mes Hysenit dhe Agasit. Sipas përmbajtjes së publikuar, Agasi dyshohet se shfrytëzonte të dhënat që i jepte Hyseni për t’iu shmangur policisë dhe për të qëndruar tetë muaj në arrati.
Një prej bisedave përmban mesazhin ku Hyseni i drejtohet Agasit me fjalinë: “Krejt radarët e shtetit i fika për ty!”. Kjo shprehje ka tërhequr vëmendje të madhe dhe tashmë po përdoret si slogan nga disa biznese që e kanë vendosur në veshje.