Vesel Demaku tregon pse zgjodhi Kosovën: Mbaj emrin e gjyshit dëshmor
Vesel Demaku, i lindur dhe i rritur në Austri, ka treguar për herë të parë në detaje pse vendosi ta përfaqësojë Kosovën në futboll, ndonëse kishte mundësinë të luante për Austrinë.
Mesfushori ka shpjeguar se zgjedhja për ta veshur fanellën e Kosovës është ndikuar nga historia e familjes së tij dhe lidhja me vendin e prejardhjes. Në qendër të kësaj historie është gjyshi i tij, Veseli, emrin e të cilit e mban.
Demaku ka thënë se gjyshi i tij kishte humbur jetën si ushtar gjatë Luftës së Kosovës. Për të, mundësia për të luajtur për Kosovën rreth 25 vjet pas vdekjes së gjyshit ka një domethënie të veçantë.
“Ai vdiq si ushtar në Luftën e Kosovës dhe mua më dhanë emrin e tij. Për njerëzit atje dhe për mua, është padyshim një gjë e madhe të jem në gjendje të luaj për ekipin kombëtar 25 vjet më vonë”, ka deklaruar Demaku.