Foto: Vuçiq: Po shqyrtojmë ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, mund të thajë Ujmanin

Vuçiq: Po shqyrtojmë ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, mund të thajë Ujmanin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se po e shqyrtojnë ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë. Sipas tij, kanë ftuar ekspertë dhe një vendim i Qeverisë serbe mund ta bëjë ndryshimin realitet; një nga pasojat, sipas tij, do të ishte tharja e liqenit Ujman.

Ai tha se në punë janë përfshirë ekspertë, sektori i ndërtimit dhe inxhinierë, të cilët do të shqyrtojnë mundësitë teknike dhe infrastrukturore për realizimin e ndryshimit të rrjedhës.

Sipas Vuçiqit, ideja për ndryshimin e rrjedhës ekziston që nga viti 1985 dhe është parë si një mundësi për të adresuar nevojat e furnizimit me ujë të popullatës në qytezat pranë liqenit.

Ai foli edhe për rrënimin e vilave përreth Ujmanit dhe tha se po i ndjek nga afër zhvillimet. Sipas tij, shumë prej këtyre objekteve ishin ndërtuar pa leje në hapësirën që administron ndërmarrja publike “Ibër-Lepenc” dhe deri më tani janë rrënuar dhjetëra.

Ai e kishte përmendur këtë më parë, duke mohuar përfshirjen e Serbisë në shpërthimin që dëmtoi kanalin e ujit Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin-Potokut para dy vjetësh. Raportohet se Vuçiq e lidhi mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit me “maltretimin” e popullit serb në Kosovë dhe e paraqiti si një masë reagimi ndaj sjelljes së shqiptarëve.