Foto: Arsenal në një shtëpi të pabanuar në Zubin Potok, konfiskohen armë

Arsenal në një shtëpi të pabanuar në Zubin Potok, konfiskohen armë

Një sasi e konsiderueshme armësh, municioni dhe pajisjesh ushtarake është gjetur mëngjesin e së dielës në një shtëpi të pabanuar në fshatin Shipovë të Zubin Potokut. Gjetjet u zbuluan rreth orës 09:00, gjatë një bastisjeje të kryer nga njësia speciale rajonale.

Gjatë operacionit janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë automatike AK-47, me gjashtë karikatorë dhe 157 fishekë, si dhe një pushkë gjuetie M-48, me 186 fishekë për armë të gjatë. Sasia e municionit arrin në qindra fishekë.

Në shtëpi janë gjetur gjithashtu një bajonetë, uniforma ushtarake me emblemë serbe, dy çanta ushtarake dhe një pajisje ushtarake për ushqim. Të gjitha këto pajisje janë konfiskuar gjatë kontrollit të objektit të pabanuar.