Plagosje me armë në Gjakovë: i plagosuri dërgohet në Isa Grezda, i dyshuari arrestohet
Rreth orës 16:10 një plagosje me armë zjarri ndodhi në rrugën “Dëshmorët e Hereqit” në Gjakovë. Rreth orës 16:25, një person i plagosur u soll në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë.
Sipas njoftimit të spitalit, pacientit i janë kryer të gjitha ekzaminimet dhe i është ofruar trajtimi përkatës. Ai mbahet i shtrirë për trajtim të mëtejshëm dhe gjendja e tij aktualisht raportohet si stabile.
Policia e Kosovës konfirmoi ngjarjen në Gjakovë dhe bëri të ditur se viktima ka pranuar trajtim mjekësor. Bazuar në informacionet fillestare, i dyshuari për plagosjen është arrestuar.
Policia tha se si viktima ashtu edhe i dyshuari janë meshkuj, shtetas të Republikës së Kosovës dhe të moshës madhore.
Njësitë relevante policore ndodhen në vendngjarje dhe po ndërmarrin veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.