Mbi 150 të arrestuar pas protestave të dhunshme në Shqipëri
Protestat e dhunshme në disa qytete të Shqipërisë kanë sjellë mbi 150 arrestime brenda katër ditësh, ndërsa 120 zyrtarë policorë janë lënduar nga përplasjet. Shifrat janë bërë publike pas protestave të ditëve të fundit.
Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Dhimitraq Ziu, ka njoftuar se vetëm në Tiranë janë arrestuar 127 persona. Sipas tij, 244 persona të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Procedimet penale lidhen me dhunën ndaj punonjësve të Policisë, dëmtimin e institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike e private, përfshirë bankomate, kamera, automjete dhe rrethime metalike.
Ziu ka bërë të ditur se strukturat e specializuara po hetojnë edhe mesazhet e shpërndara në rrjetet sociale. Në këto mesazhe, sipas tij, janë bërë thirrje për akte ekstreme e terroriste dhe janë drejtuar kërcënime ndaj policisë.