Bastisje në Dragash, policia sekuestron 39,500 euro dhe katër telefona
Policia bastisi shtëpinë e të arrestuarit nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh” në Dragash. Gjatë kontrollit hetuesit sekuestruan 39,500 euro para të gatshme, 500 dinarë, katër telefona celularë dhe dokumente të ndryshme. I dyshuari ishte ndaluar më parë në pikën kufitare Merdare dhe, me aktvendim të Prokurorisë Speciale, është ndaluar për 48 orë.
Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar urdhërkontrollin në vendbanimin e tij në Dragash si pjesë e hetimeve lidhur me dyshimet për spiunazh.
Prokuroria Speciale njofton se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit. Policia dhe institucionet e sigurisë vazhdojnë veprimet hetimore.